Sot është një biznesmen në SHBA, por në vitin 1989, gjatë periudhës së komunizmit, Beqir Potka vendosi që të arratisej në moshën 23-vjeçare.
Historia e tij është kthyer në një libër me titull “American Dream”, autori i të cilit është shrkimtari, Eris Rusi.
Në një intervistë për Euronews Albania, Beqir Potka tregoi sesi u arratis dhe u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jam arratisur më 8 shkurt të vitit 1989. Ishte 23 vjeç. Familja ime ka qenë e persekutuar që kur filloi komunizmi të hynte në fuqi. Vëllai i gjyshit ishte në Amerikë, shkoi në emigrim rreth 1920-s. Punoi dhe i dërgonte paratë në Shqipëri gjyshit tim. Gjyshi im i investonte, blinte toka pjellore, i lëshonte me qira dhe pas reformës agrare na morën tokat. Isha 7 vjeç kur isha në fshat dhe ma arrestuan babain.
Rashë dakord me një kushëririn tim, duhet të gjenim mënyrën. Kishim një ushtar në kufi, në malin e Grazhdanit, marrim ushtarin me vete dhe arratisemi. Pasi ndenjëm 3 ditë në male, mbaruan biskotat që kishim, gjithçka.
Pasi hymë në tokën helene, atje ishte akoma një gjë më e keqe, se nuk e dinim, ishim 32 shqiptarë në të gjithë Greqinë. Ushtria na mori në pyetje. Nuk na torturuan. Pas kësaj, aplikova që të shkoja si refugjat në Shtetet e Bashkuara. 16 muaj pas qëndrimit në Greqi, ambasada amerikane na aprovon që të shkojmë si refugjatë në Amerikë”, theksoi Beqir Potka.