Back

Beqir Potka, noliani që brohoret: “Rroftë Amerika”!

DR. ILIR SHYTA

Në vitet e diktaturës komuniste, arratisja nga atdheu ishte sfida më e madhe që individi mund t’i bënte atij sistemi, duke marrë parasysh edhe kalvarin e vuajtjeve që niste për familjarët apo të afërmit, të cilët vazhdonin të jetonin njëlloj si në ferrin dantesk. Kam njohur pak njerëz të tillë, ndërsa kam dëgjuar për shumë arratisje të bujshme, arratisje të cilat kanë qenë fatlume për të gjithë ata që ia dilnin të preknin lirinë e munguar, shumë herë të mirëmenduar në mendjet e tyre. Të shumtët ëndërronin, disa shpresonin, niseshin edhe pak ia arrinin… Fshati kufitar, posta e kufirit, telat me gjemba dhe me korrent, piramida, qentë e kufirit, si një enumeracion filmik të parakalojnë teksa lexon rrëfimin e mundimshëm për jetën e Mr. Beqir Potkës.

Regjimi kishte instaluar një sistem frike, aq sa pothuaj të gjithë banorët e fshatit kufitar ishin informatorë të tij. Arratisja ishte guximi më i madh që mund t’i bëhej asaj kolere, gjesti më i lartë, më i nderuar, më trimëror, akti më i shenjtë, ishte madje vetëflijim, ndonjëherë edhe ndeshje me të pamundurën. Arratisja ishte grisja e një kapitulli të keq agonie, ishte ndalja e kohës komuniste dhe rifillimi i jetës së re, kuptohet nëse kishe fat. Ndërkaq, duhet thënë se fati ishte bujar me Mr. Potkën edhe kur ai rrëzohet mes shkëmbinjsh, ditën e madhe të arratisë së tij. “American dream” dhe rasti i Mr. Potkës për të sfiduar diktaturën shqiptare më të egër, të instaluar ndonjëherë në vendet komuniste, përveçse kërshëri leximi, për mua gjithmonë ka qenë krenari, qëkurse e kam njohur atë, në vitin 1995. Habi për mua ishte momenti kur për herë të parë mësova që jeta e tij ishte bërë libër, përmes një biografie të letrarizuar nga prozatori Eris Rusi.

Me të njëjtin emocion habie, nisa shfletimin e librit, edhe pse disa detaje nga jeta e Mr. Potkës i kisha ditur më herët, dikur kur bëra një emision special te Radio Tirana, enkas për të. Kujtoj se vargjet e këngës popullore “Bëj zamet moj nënë me arno një xhep/ se nesër pa diell nisem për kurbet…” ishin kolona zanore e reportazhit radiofonik. Më besoni të njëjtën ndjesi kam marrë edhe këto ditë që lexova biografinë e Beqir Potkës. Stil i përkorë, i përsorur nga Eris Rusi, i zhveshur nga patetizmi i rrejshëm, lartëson vërtetësisht golgotën e mundimit dhe lirisë. Libri vjen dykahësh në idejimin e profesor Rusit.

Përmes digresionit përshfaqen momentet me të rëndësishme të jetës së Mr. Potkës, veçanërisht vitet e arrestimit të babait të tij, koha e zymtë komuniste apo varfëria e tejskajshme e vendit demagog dhe fanar ndriçues buzë brigjeve të Adriatikut, arratisja dhe jeta e re në Greqi dhe më pas shtegtimi në Amerikë. Përmes intervistës me diktofon jetësohen edhe dhjetëra ndodhi të tjera, emocione, frikëra që thyehen dhe bëhen triumfe lumturie, atëherë kur shpresa mbetej gjallë në kohën e arratisjes së madhe. Libri në vetvete është ambiguid, sepse pranëvë në memorien e lexuesit detaje, ngjarje, njerëz, emra të përveçëm dhe heronj të ritreguar bindshëm dhe me nerv artistik, përmes një stili që rrjedh lexueshëm në gjuhën shqipe nga prozatori dhe përkthyesi, profesori i letërsisë, Eris Rusi. Po, po, njerëz të tillë janë heronj të gjallë, që sfiduan diktaturën komuniste. Ata vijnë thjeshtësisht deri në madhështi dhe janë portrete si Mr. Potka, Artur Sheqerxhiu apo Nderim Kupe (ushtari me kapelën me yll të kuq në ballë), janë njerëz që projektohen kujtimesh në faqet e kësaj biografie të letrarizuar. Artur Sheqerxhiu dhe bashkëshortja e tij Vasilika Niço, mbetën legjenda e arratisjes nga Shqipëria komuniste.

Shtypi grek në vitin 1987 i përkufizoi ata si Tarzani dhe Bubulina, që sfiduan diktaturën me arratinë e tyre. Në libër është e dhimbshme dhe shumë njerëzore bashkëbiseda e Arturit me të atin përmes linjës telefonike. Njëri i arratisur në Greqi dhe tjetri në Shqipëri, i persekutuar nga arratia e të birit. E vetmja e drejtë që fituan atë kohë të arratisurit në tokën helene, ishin telefonatat me të afërmit e tyre, pas protestës së madhe që bënë, para dyerve të Ambasadës Shqiptare në Athinë, lidhur me zinxhirë. “Alo… bir! -Alo… Baba! Pastaj një hop heshtje. Zemra e prindit plak, e lodhur nga dhimbja për të birin, e tronditur nga ai gëzim i pazakontë, goditur nga persekutimet dhe burgu komunist, nuk kishte rezistuar më. Kishte pushuar së rrahuri, në çast…”.

Theksoj, se libri është edhe një guidë udhërrëfyese utiliteti, për të gjithë ata që dëshirojnë ta prekin Amerikën dhe duan të jetojnë ndershmërisht në tokën e premtuar. Sfidat e heronjve të këtij libri janë një rrugë e shkelur që tashmë do të udhërrëfejnë të gjithë ata që dëshirojnë sukses në SHBA. Librin do ta përkufizoja ekzistenca njerëzore, sepse vetëm ajo mbetet dëshmia më e mirë dhe më e fortë e njeriut që fle për ëndrrat dhe zgjohet për qëllimet. Handsome në ditë të vështira dhe të gëzuara, handsome në momente tragjike dhe triumfi, handsome në momente paqeje dhe dashurie, handsome në Amerikë dhe Shqipëri. Ky është Mr. Potka, personazhi që na intrigon me jetën e tij dhe na mëson se Amerikën mund ta bësh shtëpinë tënde të dytë.

Nëse e lexon këtë libër mëson edhe kur vuajtjet të fisnikërojnë dhe sigurisht të bëjnë më të fortë! Mr. Potka e dëshiron të bukur shtëpinë e tij në Dvoran, i do të afërmit e tij të veshur bukur, mbi të gjitha nuk e privon as veten nga e sqima e së bukurës. Mjafton në libër episodi i shitjes së kecit, për të kuptuar se e bukura është ushqimi shpirtëror që e mban njeriun po aq gjallë, njëlloj sa ushqimi i përditshëm i barkut. “Atëherë, me natyrën e hedhur që më karakterizonte, u futa në dyqanin më të afërt dhe prisha një pjesë të lekëve për të blerë disa zbukurime për bufenë e shtëpisë. Edhe e bukura duhej të kishte vend në jetën tonë. E bukura do të verbonte gjithë errësirën e skamjes dhe të vuajtjeve që nuk po na ndaheshin këmba-këmbës”, dëshmon Mr. Potka në tregim. Madje, edhe dashuria flet më gjuhë shpirti në rrëfimet e këtij libri. Lola, vajza e oficerit të repartit ushtarak, ku Beqir Potka bëri ushtrinë, është emblema që fytyrëson të bukurën e tij si kategori estetike që bashkëvepron me të shëmtuarën diktatoriale, në këtë rrëfim të ndjerë, prekës, real, aq dhe krenar. Së fundmi edhe dy fjalë edhe për këtë botim të shtëpisë botuese “Toena”.

Prezantohet cilësi dhe luks, sikurse lënda bazë që përmban libri, materialin letrar. Realisht në kopertinë flamuri amerikan e bekon dhe mbështjell një njeri që e do fort Amerikën. Është noliani i ditëve tona që vijon e brohoret mirënjohës: “Rroftë Amerika!”. Në foto, ky njeri, duket njëlloj si aktor Hollywood-i. Mesa duket, historia e tij grish për një skenar filmi, në kinemanë amerikane. Gjithashtu, kujtoj se biografia e letrarizuar përmbyllet në fund me galerinë fotografike që vjen në mënyrë kronologjike, njëlloj si ngjarjet në kapitujt e librit apo vetën jetën e Beqir Potkës. Edhe fotot flasin po kaq sa rrëfimi në biografinë e shkruar bindshëm nga Eris Rusi. Madje, sikur mos kesh lexuar asnjë faqe nga libri, vetëm nga prania e fotove ndërton rrugëtimin e mundimshëm, por triumfues së Mr. Potkës në realizimin e ëndrrës së tij amerikane. Në radhë të parë si njeri që beson në Zot, krijon një familje të bukur dhe shkëlqen me biznesin e tij… Vlerësim dhe urim njëherazi përcjell për autorin e këtij ritregimi, shkrimtarin Eris Rusi, i cili ka pasuruar biografinë e letrarizuar shqipe me këtë botim interesant.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

We use cookies to give you the best experience. Cookie Policy

LANGUAGE