Back

Rreth Meje

Përmbledhje e veprimtarisë atdhetare, kulturore, bamirëse e z. Beqir Potka,

shqiptaro-amerikanit me origjinë korçare që jeton dhe ushtron aktivitetin e tij publik në USA

Historikisht Korça ka nxjerrë në dritë njerëz të nderuar që kanë dhënë një kontribut të çmuar për kombin shqiptar brenda dhe jashtë vendit, duke  shpalosur vlerat qytetare, intelektuale dhe njerëzore në shërbim të komunitetit. Ajo që e identifikon Korçën si qytetin e artit, dijes e kulturës, nuk do të ishte plotë pa kontributin e bijve të saj që kanë arritur sukses dhe kanë mbajtur lidhje të qëndrueshme me vendin e origjinës.

Z. Beqir Potka, është një nga njerëzit përfaqësues të trevës së Korçës në Amerikë, biznesmen, filantrop, kontribues në çështje të rëndësishme që lidhen me historinë dhe kulturën e kombit shqiptar. Jeta e tij plot peripeci është përshkruar në librin “American Dream”- Historia e jashtëzakonshme e Beqir Potkës nga Ferri komunist drejt ëndrrës amerikane, duke u kthyer në një shembull frymëzues për të gjithë njerëzit që kërkojnë të ngjiten drejt suksesit, pa u stepur nga vështirësitë dhe sfidat e jetës.

Në shkurt të vitit 1989, ai është nga shembuj e rrallë të atyre që guxuan dhe sfiduan sistemin komunist, duke u arratisur drejt Greqisë, për të fituar lirinë më tej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sfida që i bëri regjimit komunist z. Beqir Potka, u mishërua me një veprimtari konkrete në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë, në fund të vitit 1989, ku bashkë me demonstrues të tjerë shqiptarë, ata që plumbi vrasës në kufi nuk mundi t’i kapte, nismëtarë të demokracisë, protestojnë të lidhur me zinxhirë në kangjellat e Ambasadës Shqiptare në Athinë. Kjo protestë me thirrjet e para drejtuar Ramiz Alisë, për ndryshimin e vijës politike pas rënies së Murit të Berlinit, dha sinjalet e para të një vetëdijeje politike për të ndryshuar regjimin komunist në Shqipëri.

Pas largimit nga Greqia drejt SHBA, aktiviteti i z. Beqir Potka, krahas formimit profesional dhe hapave të parë në botën e biznesit, u fokusua te çështja shqiptare, te ngritja dhe mbajtja aktive e komunitetit të shqiptarëve në Nashville, Tenessee, USA. Zoti Potka krijon degën e Federatës Panshqiptare “Vatra” në këtë shtet, duke e drejtuar këtë degë me një veprimtari aktive në çështje të kulturës dhe identitetit të kombit shqiptar.

Si drejtues i degës “Vatra” Në Nashville, z. Potka bëhet pjesë e nismëtarëve shqiptaro-amerikanë, mes të cilëve spikatin emra si z. Anton Athanasi dhe z. Ekrem Bardha, për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit të shquar të kulturës shqiptare, shkrimtarit, diplomatit dhe publicistit Faik Bej Konica.

Z. Potka mbështet aktivisht dhe me financat e tij procedurën për kthimin e eshtrave të Faik Konicës në atdhe në vitin 1995, pas 50 vjetësh sipas amanetit që kishte lënë atdhetari i shquar.

Viti 1999, me dramën e gjenocidit në Kosovë, e gjen z. Potka në vijën e parë të lobimit në mbrojtje të Kosovës, duke zhvilluar takime insensive me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, si dhe duke dhënë intervista të njëpasnjëshme në mediat amerikane që çështja e Kosovës të gjente mbështetjen e popullit dhe të Senatit amerikan. Dëshmia e z. Potka për këtë periudhë, përmblidhet në këtë rrëfim personal të tijin:  

“Pasi u ktheva në Amerikë, u lidha me senatorët, me kongresmenët e Nashville. Duhej të dilje publikisht, para 7 milion amerikanëve ku isha, unë, e t’i mbushje mendjen për tmerrin që po ndodhte. Por bindja ime ishte e palëkundur: Kosova duhej të ndihmohej. Kjo nuk ishte vetëm një dëshirë e imja, por një jehonë shpirti e të gjithë shqiptarëve që jetonin në Amerikë. Të gjithë anëtarët e Vatrës u aktivizuan, në drejtime të ndryshme, sepse bëhej fjalë për një masakër të kobshme që po përjetonin vëllezërit tanë të Kosovës dhe familjet e tyre.

Nuk ishte e lehtë të dëshmoje me zë të lartë dhe të bindje për të vërtetën e klithmës tënde, një populli të madh si ai amerikan, që s’dinte asgjë për Kosovën. Por mënyra si nisëm të organizohemi me shqiptarët e tjerë në USA, filloi të jepte efektet e saj. Krijova mundësinë që shtronim darka të mëdha, ku zhvillonim biseda me njerëz të rëndësishëm, që do të bëheshim më vonë përcues të fjalës sonë në sferat e larta. Nuk munguan as demonstratat në shërbim të së vërtetës, të cilat nisëm t’i organizonim rregullisht. Në atë periudhë, njëherë në tre ditë isha në Uashington.”

Z. Potka hapi dyert e shtëpisë së tij për refugjatët nga Kosova që u larguan për t’i shpëtuar tmerreve të luftës, me bindjen që ky akt ishte i domosdoshëm përnjerëzit që i takonin gjakun dhe trungut shqiptar.

Në vijim, z. Potka me të konsoliduar figurën e tij si një drejtues i rëndësishëm i degës së shoqatës “Vatra” në Nashville, zgjeroi biznesin dhe u profilizua edhe në drejtimin e mbështetjes ligjore, për të lehtësuar procedurat e pajisjes me dokumente amerikane të shtetasve shqiptarë që mbërrinin në USA. Janë me qindra dëshmi të ndihmës së dhënë prej tij, në këtë drejtim.

E fundit, por jo nga rëndësia, z. Potka ka krijuar edhe profilin e një filantropi, si pjesëtar i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, duke dhënë ndihmëse konkrete financiare në vende të ndryshme të botës, ku ushtron aktivitetin e tij Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Për sa më sipër, veprimtaria e z. Potka meriton vëmendjen dhe nderimin nga treva e Korçës, si një bir i nderuar i kësaj treve, që ka dhënë e vazhdon të japë gjithçka prej vetes, për të mirën e kulturës, historisë dhe traditës së Korçës dhe kombit shqiptar.

We use cookies to give you the best experience. Cookie Policy

LANGUAGE