Back

Dy fjalë lexuesit

Beqir Potka

Ky libër rrëfen agoninë dhe ringjalljen time, rininë e pajetuar nën diktaturë, momentet e arratisjes prej Ferrit të Europës, Shqipërisë komuniste, vendit më të izoluar të botës deri në rënien e murit të Berlinit, pastaj qëndrimin në tokën e ndërmjetme, në Purgatorin grek të kampit me të arratisur politikë nga të gjitha vendet e Europës në Greqi, e më tej shtegtimin, por dhe ringjalljen shpirtërore, fizike dhe morale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kur shkela për herë të parë në tokën amerikane, më kaloi si nëpër ëndërr shtegtimi i bërë dhe i thashë vetes me një bindje që e kam të palëkundur edhe sot: “Beqir Potka, je nga të vetmit që i mbijetove telave me gjemba, u arratise nga Shqipëria si një i Vdekur i Gjallë! Tani është koha e të vërtetës së madhe: Ndërtoje jetën tënde dhe jeto!”.

Natyra e librit është në formën e një bashkëbisedimi të sinqertë me shkrimtarin Eris Rusi, pedagog në Universitetin e Korçës dhe drejtues i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re” në këtë qytet. Nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë që të zgjedh ato që janë gjërat më të rëndësishme për t’i rrëfyer lexuesit.

Shpirti im është i ngarkuar me ngjarje, episode, prapaskena, befasi, dashuri të mëdha dhe dhimbje tragjike, e në mes të gjithë këtyre ndiej përgjegjësi që të përzgjedh ato që janë me rëndësi që të tregohen. Ky libër nuk dëshiroj 10 që të jetë vetëm historia e një individi, e të vdekurit të gjallë Beqir Potka që u arratis në kohën e pushkatimeve dhe telave me gjemba, por dëshmia e mijëra jetëve që për hir të lirisë guxuan dhe sfiduan të pamundurën.

Në një kohë kur Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Europës, kur çdo rrip toke ishte i lidhur me tela me gjemba, mbrohej me qen kufiri dhe ushtarë që qëllonin pa paralajmërim, nevoja për të arritur të pamundurën frymëzohej nga dy gjëra që më kanë shoqëruar gjithë jetën: besimi te Zoti dhe etja për liri! Jeta e çdo njeriu është e lidhur pashmangshmërisht me të kaluarën. E djeshmja është një barrë e rëndë, që gjithsecili prej nesh e mban mbi supe, e kur ndodh të hapësh e të shohësh çfarë ka brenda asaj rëndese, dora mund të të kapë peripeci e dhimbje, por edhe lumturi e shpresë.

Gjithçka fillon në janar të vitit 1988, kur në moshën njëzetetrevjeçare mora një vendim të pakthyeshëm për t’u arratisur nga diktatura komuniste, e sot, tridhjetepesë vjet më vonë, kur jam një prind i lumtur dhe krenar i tre fëmijëve, bashkëshort i një gruaje që më qëndron dhe më frymëzon çdo ditë të jetës me forcën dhe mençurinë e saj, kur bizneset e mia më kanë dhënë një komoditet, për të cilin kam sakrifikuar në mënyrë të palodhur çdo ditë në Amerikë, është momenti të ndaj disa gjëra me lexuesit.

Kjo është historia e jetës sime, arratisja nga Ferri komunist, shtegtimi i gjatë në purgatorët e tokës helene, e në fund, mbërritja në Amerikë, ku besoj se ëndrrat mund t’u japin formë atyre që dëshiron dhe i ka të çmuara njeriu mbi tokë.

Rreth librit “American Dream”  –  nga autori Eris Rusi

Ëndërr amerikane! E kthyer ne realitet! Ky libër është jo vetëm historia individuale e një njeriu, por ilustrim i shpirtit që arrin të sfidojë të pamundurën, të kërkojë dritën dhe të gjejë shtegun e shpëtimit, përmes këmbënguljes dhe guximit për të sfiduar gjithçka që del përpara si pengesë.

Këto ditë të gjata, ku gjithë koha dhe përqendrimi ishte i dedikuar pas bashkëbisedimit me mister Potkën, ndërsa mendoja si do të radhisja në libër peripecitë dhe ngjarjet e jetës së këtij njeriu, nuk e hiqja nga mendja një pyetje ndaj vetes: Kujt do t’i shërbente më tepër ky libër, pasi të botohej? Kush lexues do të merrte me dëshirë shfletimin e tij dhe çfarë do të gjente në brendinë e tekstit?

Vetë rrëfimi i mister Potkës, është zëri i një njeriu që ka jetuar në dy kohë të ndryshme: Diktaturë dhe Demokraci; në dy kontinente të ndryshme: Evropë dhe Amerikë; në dy mentalitete të ndryshme: Njeriu turmë dhe Njeriu individualitet. Të gjitha këto ndërthurje, e bëjnë rrëfimin e përfshirë në këtë tekst, që të ketë një rëndësi të veçantë, në rrafshin narrativ dhe në atë njerëzor. Beqir Potka, që në momentin e arratisjes nga Shqipëria komuniste, nuk ishte më një njeri i zakonshëm, por mori përmasat e Feniksit, që rilind nga hiri i tij. Mister Potka nuk u bë asnjëherë njeriu që pranonte kompromise të dyshimta për t’ia dalë mbanë në jetën e tij. ai sulmoi gjatë gjithë kohës sharlatanët dhe njerëzit e paaftë, që synonin t’i bënin dëm vendit dhe njerëzve të tij. Në çdo sfidë dhe përballje, ai është treguar i guximshëm, një luftëtar, me grushte shtrënguar, që lufton për të vërtetën, duke synuar suksesin me dritën e mirësisë dhe Zotit në shpirt.

Kjo lloj klime, kam bindjen që do ta bëjë të dashur për lexuesin e këtij libri, profilin e mister Potkës. Lexuesi i sotëm mund të orientohet menjëherë tek jeta e këtij njeriu, sepse ndërkohë që po përjetojmë një dinamikë antivlerash, ku përpjekja për të arritur diçka, për t’u ngjitur diku, jo falë punës dhe talentit, por rrugëve të shkurtra, është ideja që kalon në mendjen e shumë njerëzve, përmes këtij libri do ta kuptojmë që mister Potka këtë rrugë të shkurtër nuk ua tregon, nuk ua edukon as fëmijëve të tij.

Njeriu që jep gjithçka në emër të së mirës dhe të së drejtës, nuk mund të bëjë dot kompromis me regjimet totalitare apo me kurorën e së keqes. Këtë mund të mësojmë nga profili i Beqir Potkës, që shpaloset në faqet e këtij libri. Ndaj dhe kumbojnë plotësisht të përshtatshme fjalët e Oracio Flakos, poetit latin, mbi peshën e padiskutueshme të vlerave njerëzore, në ekzistencën e një kombi: “I kam ngritur vetes një monument që është më i fortë sesa bronzi” – Kjo për të nxjerrë në pah forcën e shpirtit që ishte në gjendje ta bënte njeriun e pavdekshëm.

Le të jetë ky libër simbol i ngjarjeve që kthehen të përhershme dhe vihen në shërbim të lexuesit të sotëm. Siç e thotë shpesh dhe mister Potka në rrëfimin e tij, “Gjithçka varet nga njeriu dhe nga depozitat e veprave të mira, në qiell. Guxo dhe Beso, o njeri!”!

We use cookies to give you the best experience. Cookie Policy

LANGUAGE